“
Të premtova se nuk do të dua më,
por para vendimit të madh, u tuta.
Të premtova se nuk do të kthehem,
por u ktheva,
se nuk do të vdes nga malli,
por vdiqa.
TĂ« premtova shpesh
dhe hoqa dorë po aq shpesh
dhe s’më kujtohet që u dorëzova.
Premtova shumëçka për veten,
çfarë mund të thonë gazetat për këtë?
Sigurisht, do shkruajnë që jam çmendur.
Sigurisht, do shkruajnë që vrava veten.
TĂ« premtova,
se do jem i brishtë… ashtu isha,
të mos shkruaj poezi për sytë e tu,
por shkrova.
Premtova të mos…
e mos…
por kur zbulova idiotësinë time, qesha…
TĂ« premtova
se do t’i injoroja flokët e tu kur të më kalonin pranë,
por kur u tundën si nata e zezë mbi trotuar,
bërtita…
Të premtova…
se do t’i injoroj sytë e tu, pavarësisht mallit,
por kur i pashë plot yje,
psherëtiva.
Të premtova…
se s’do të shkruaja asnjë letër dashurie,
por shkela mbi veten, të shkrova.
TĂ« premtova
se s’do jem më në asnjë vend ku do jesh ti,
por kur dëgjova se je e ftuar për darkë,
erdha edhe unë.
Të premtova mos të të dua…
Si?
Ku?
Dhe ç’ditë ishte kur të premtova?
Gënjeva nga ndershmëria e madhe
dhe lavdi Zotit që gënjeva!
Të premtova…
krejt i ftohtë, krejt i marrë,
duke u vënë zjarrin të gjitha urave pas meje,
me vete vendosa t’i vras të gjitha gratë,
dhe ty të shpalla luftë,
por kur ngrita armën kundër gjinjve të tu,
u theva.
Kur pashë dy duart e tua paqësore,
dënesa…
dhe premtova që nuk… që nuk… që nuk…
por të gjitha premtimet e mia ishin
tym, që e shpërndau era.
Të premtova…
se s’do të të telefonoj natën,
se s’do të të mendoj edhe nëse sëmuresh,
se nuk do bëhem merak për ty,
nuk do të dërgoj trëndafila,
e mos t’i puth dy duart e tua,
por të telefonova netëve, pavarësisht premtimit,
të dërgova trëndafila, kundër vendimit,
t’i putha duart derisa u ngopa.
Premtova që mos… që mos… e që mos…
por, kur zbulova marrëzinë time, qesha.
Të premtova…
duke të masakruar pesëdhjetë herë,
e kur pashë gjakun në teshat e mia,
u sigurova që kisha masakruar veten,
prandaj mos më merr seriozisht,
sado të zemërohem… sido të reagoj,
sado të marr flakë, kurdo të shuhem,
gënjeja nga çiltërsia e madhe
dhe lavdi Zotit që gënjeja!
Të premtova se do t’i jap fund këtij muhabeti,
por kur pashë lotët të të rrjedhin faqeve,
u hutova…
Kur pashë çantat përtokë,
kuptova që ti nuk vritesh kaq lehtë,
ti je atdheu, je fisi,
je poema para krijimit,
je shënimet, je shëtitorja, je fëmijëria,
je kënga e këngëve,
je psalmet,
je ndriçuesja,
ti je e dërguara.
Të premtova…
se do t’i fshija sytë nga fletorja e kujtimeve,
pa e ditur që po fshija jetën time,
pa e ditur që ti,
pavarësisht sherrit të vogël, je unë
dhe unë jam ti…
Të premtova se nuk do të të dua,
oh çfarë marrëzie,
çfarë i bëra vetes?
Gënjeva nga ndershmëria e madhe,
lavdi Zotit që gënjeva!
Të premtova…
se s’do jem këtu pas pesë minutash,
por… ku të shkoja?
Rrugët janë të lara me shi,
ku të hyj?
Kafenetë gëlojnë nga tollovia,
ku të lundroj vetëm?
Ndërkohë që ti je deti,
je varka
dhe udhëtimi.
A është e mundur,
të pres edhe dhjetë minuta,
sa të ndalet shiu?
E sigurt, do iki, sapo të ikin retë,
sapo të qetësohet era,
përndryshe…
do jem në zijafetin tënd,
derisa të vijë mëngjesi.
Të premtova…
se s’do të dua, si të çmendurit, për herë të dytë,
mos të të sulmoj, siç bëjnë harabelat,
me pemën e lartë të mollës tënde,
dhe mos t’i kreh flokët kur të flesh,
o macja ime e shtrenjtë…
Të premtova që s’do ta humbas pjesën e mbetur të mendjes,
nëse bie mbi mua si një yll këmbëzbathur.
Premtova ta përmbaj çmendurinë time,
dhe më vjen mirë që akoma jam
kaq ekstrem kur dashuroj,
njëlloj siç isha herën e fundit.
Të premtova…
që s’do të kthehem, por u ktheva,
që nuk do vdes nga malli,
por vdiqa,
dhe u ktheva me gjëra më shumë se vetja;
ç’i bëra vetes?
Gënjeja nga ndershmëria e madhe
dhe lavdi Zotit që gënjeja!
”
”