Mkto Quotes

We've searched our database for all the quotes and captions related to Mkto. Here they are! All 1 of them:

Lutja e deshprueme Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi, deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna, nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi. Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli, qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli, a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni, ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun, ju qi burrnín jetike e patët si mësuese, ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse, ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun, sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim: ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq, plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin, fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq. U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi; ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku, porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi. N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit, prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën, por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit. Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona, zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë, shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë. O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale, n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet, jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta, ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male. Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha, n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat, pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat, pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha. E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum, sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe, qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum. Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar, n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar, qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin. O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi, shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi. Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata? Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër: kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër. Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?
Ernest Koliqi