“
Kanga skandaloze
Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnia
- kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun…
Një murgeshë e zbetë, e ftohtë si rrasa e vorrit,
me sy boj hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana
pshertimet që mbysin
ma la der' vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.
Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër Gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç'fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saj ende s'i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shënjt,
që n'ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shejtënvet:
Mos u lut për mue, se due pash më pash t'i bij ferrit.
Unë dhe ti, murgesh, dy skaje po të një litari;
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit -
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do t'dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.
”
”