“
Ai kishte dëgjuar më parë avionët të bënin zhurmë të sforcuar po jo si kjo kërkëllitje e metalit rreth e rrotull tij, sikur perçinat po dilnin vendit si ca kopsa të jakave të modës së vjetër. Veç kësaj, krahët qenë shumë të hollë. Edhe në një ditë të qetë e blu, po t'i shihje ato të dridheshin do të thoshe: një çift fletësh hekuri, ja se ç'janë.
- Viktor, po anohemi gjithnjë e më tepër... S'kam parë kurrë kaq keq.
Asnjë koment. S'mund të mohohej ajo që dukej. Avioni hidhej poshtë e lart si një kartë bixhozi.
- Në qoftë se rrëzohemi...
- Do të jetë faji im. Unë të futa këtu.
Qe një çast fluturimi i rrafshtë, pa lëkundje. Viktori u habit që ritmi i zemrës së tij nuk qe rritur. As nuk e mbajti frymën dhe as nuk u djersit kur avioni nisi të bjerë përsëri.
- Ti sikur s'çan kokë dhe aq, - tha Katrina.
- Sigurisht që çaj.
- Dëgjo Viktor. Nëqoftë se vdekja është përpara çdo minute, nëqoftë se do të përfundojmë në ujë... Dua të të pyes të më thuash diçka.
- Mos e fillo këtë Katrinë.
- Është fare e thjeshtë. Dua thjesht ta thuash këtë...
- Lëri këto budallallëqe, Katrina. Në një kohë të tillë si kjo, të më pyet. E çfarë? Për dashurinë? - Zemërimi e bëri zërin e tij të ngjante përsëri me një flaut. Goja iu zmadhua dhe mustaqet gjithashtu iu zgjeruan. Ai qe gati të fliste edhe më ashpër.
Ajo e ndërpreu: - Mos u bëj kështu me mua tani, Viktor. Nëqoftë se ne do të biem, pse nuk do të doje ta thoje këtë?...
- E kape këtë rast për të më përdredhur krahun.
- Në se ne nuk e duam njëri-tjetrin, atëherë çfarë bëjmë ne? Pse ndodhemi këtu?
- U ndodhëm se ti je një grua dhe unë jam një burrë, ja pse ndodhemi këtu.
Ç'mendim të çuditshëm që kishte: ateistët pranojnë ritin absolut. Gruaja këmbëngul dhe burri që po vdes, tund kokën. Pse jo?
Pas pak, ata ndjenë ngritjen e kontrolluar të avionit. Ai kishte gjetur përsëri një shtresë të butë ajri dhe po fluturonte qetësisht. Ende në ankth, Katrina nisi të mendojë rreth atyre ç'i kishte shtënë në kokë fortuna.
- Tani jemi mirë, - tha Viktori.
Ajo ndjeu se ishte shumë më pak mirë se ç'kishte qenë ndonjëherë. O zot! Sa shumë humba, mendonte ajo.
Dera e kabinës u hap dhe piloti i dytë tha: - Jeni mirë? Ishte rrugë e keqe. Por për një minutë jemi mbi Çikagon e jugut. - Një lumë fjalësh, një kërkëllitje e pakuptueshme erdhi nga kulla e kontrollit në Miduej.
Viktori qe i qetë dhe dukej edhe me humor të mirë. Ç'vetëpërmbajtje kishte ai njeri! Dhe nuk t'i përmendte kundër teje, gjërat qesharake. E kishte shumë të mirë këtë gjë. Atje në spital, për shembull. Ai nuk mund të thoshte: "Të dua". Kjo do të qe shfajësim. Katrina vente e vinte nëpër fjalët e thënë nga ai e ajo, ndërsa avioni u afrua pranë tokës dhe u ul. I kishte mbetur mendja te të gjithë ato edhe kur i kaluan te helikopteri, nën fshikullimën e helikave. Vajzat e shërbimit aty, qenë të mësuara. Ato sikur thoshin: Mos u mërzit e dashur, dashuria do t'i zgjidhë problemet e tua. Bëje veten të meritueshme dhe do të dashurohesh.
fq.126-128
”
”